Gjatë këtij sezoni, Vllaznia është përballur me vështirësi të mëdha në repartin mbrojtës, duke u bërë një nga skuadrat më të ndëshkuara në Superiore. Përveç luhatjeve në performancë, dëmtimet e shumta kanë ndikuar ndjeshëm në stabilitetin e skuadrës. Pothuajse të gjithë mbrojtësit shkodranë kanë pasur periudha mungese, dhe së fundmi, Serjan Repaj, i afruar në merkaton e janarit, ende nuk ka pasur mundësi të tregojë potencialin e tij.
Megjithatë, në javët e fundit të kampionatit, Vllaznia mund të përfitojë nga një rikthim i papritur. Bëhet fjalë për kroatin Marko Juriç, i cili ishte lënë jashtë planeve të ekipit që nga dhjetori i vitit të kaluar.

